
Presidenti i shoqatës, Leka Kosta, theksoi se, me këtë trofe të veçantë, shoqata “Sporti na bashkon”, “dëshiron të kontribuojë dhe të nxisë sa më shumë talentet”, ndërkohë që sekretari Gëzim Nushi, veçoi faktin se “ky çmim është një motiv më shumë për të rinjtë për të dhënë maksimumin e tyre”.
I organizuar në formën e një “shou’ në sallën e Teatrit të Komedisë në kryeqytet, e ku merrnin pjesë disa nga emrat më të njohur të sportit tonë, përfshirë ish-trajnerin e Kombëtares, Bejkush Birçe; ish-legjendar e Dinamos, Iljaz Çeço dhe Vasillaq Zëri, por dhe ikonën e basketbollit shqiptar, Agim Fagun, dhe në praninë e shumë mediave televizive dhe të shtypit të shkruar, aktiviteti u moderua nga gazetari i njohur sportiv i Televizionit Shqiptar, Dëfrim Met’hasani, nën drejtimin e të cilët, në bashkëpunim edhe gazetarët Alban Hasani dhe Fatmir Efica, ishin përgatitur video profile të shoqërua me statistika për të gjithë protagonistët.
Mesfushori i Flamurtarit, Gledi Mici (22 vjeç, 23 ndeshje këtë sezon) fitoi çmimin e parë, në bazë të vlerësimeve të specialistëve dhe gazetarëve, duke u bërë kështu lojtari i gjashtë që e fiton këtë çmim pas Emiljano Vilën (2008-2009), Bekim Balajn (2009-2010 dhe 2011-2012), Armando Vajushin dhe Odise Roshin (të dy në 2009-2010).
Është interesant fakti që, katër lojtarët e mëparshëm fitues tashmë janë pjesë e ekipit Kombëtar, çka dëshmon edhe seriozitetin e çmimeve dhe objektivitetin shoqatës “Sporti na bashkon”. Sulmuesi Mario Morina i Tiranës dhe mesfushori Indriz Batha i Besës merituan çmimin e dytë, ndërsa Alfred Zefi i Laçit, Ardit Peposhi i Tiranës dhe Endri Magani i Shkumbinit, u vlerësuan çmimet e treta.
Për futbollistin e njohur Igli Allmuça, i cili në karrierën e tij të gjatë ka luajtur me Partizani (fitues Kupe), Tiranën (kampion), Dinamon (kampion), Skënderbeun (kampion) dhe tani në radhët e Kukësit, skuadrës surprizë të Kategorisë Superiore (siguroi një vend në Ligën e Europës në debutimin e saj në Superligë), u dorëzua çmimi “Fair-play”.
Çmimi i “Meritës, iu dha presidentit të Kukësit, zotit Safet Gjici, si njeriu i vitit në futboll. Gjici investoi në shuma të konsiderueshme, për ndërtimin e një skuadre kompetitive por, dhe një stadium model në vendin tonë, ndërsa skuadra ia shpërbleu me daljen nënkampion dhe paraqitjen për herë të parë në Europë. Kukësi është skuadra e 15-të shqiptare që do të luajë në një kompeticion europian.
Një vend në skenë ishte edhe për skuadrën fituese të U-19, "Shkëndija e Tiranës" me trajner Shpend Kumbarçe dhe drejtues se Shkollës së Mjeshtërisë, Sulejman Mema. “Jam shumë i lumtur, kur shoh këta djem janë më të mirë se unë dje, ndërkohë që besoj se ata që do të vinë do të jenë më të mirë se këta sot”, - tha Mema, ish-trajneri i Tiranës (2 tituj kampion) dhe i Partizanit (Kupë). Figurat qe lauruan fituesit ishin: Bejkush Birçe, Eduart Prodani, Jetmir Halilaj, Vasillaq Zëri, Fatmir Mneri, Gëzim Nushi, Iljaz Çeço dhe Agim Fagu.
ÇMIMET E SEZONIT
VENDI I PARË
Gledi Mici (Flamurtari)
VENDI I DYTË
Mario Morina (Tirana)
Indriz Batha (Besa)
VENDI I TRETË
Ardit Peposhi (Tirana)
Endri Magani (Flamurtari)
Alfred Zefi (Laçi)
ÇMIMI “FAIR-PLAY”
Igli Allmuça (Kukësi)
ÇMIMI I MERITËS
Safet Gjici (Presidenti i Kukësit)
FITUESIT NË VITE
SEZONI 2008-2009
Emiljano Vila (Teuta)
SEZONI 2009-2010
Bekim Bala (Vllaznia)
SEZONI 2009-2010
Armando Vajushi (Vllaznia)
Odise Roshi (Flamurtari)
SEZONI 2011-2012
Bekim Bala (Tirana)
SEZONI 2012-2013
Gledi Mici (Flamurtari)